Siberia gjendje të jashtëzakonshme pas sulmeve të ujqërve

MOSKË- Republika e Jakutisë, në ektremin verilindor të Siberisë, dekretoi gjendjen e jashtëzakonshme si pasojë e sulmeve në rritje të ujqërve që kanë shkaktuar ngordhje të shumta të drerëve dhe kuajve në këtë rajon të madh, një nga më të ftohtët në botë. 

''Autoritetet lokale janë ngarkuar për krijimin e brigadave të specialistëve për vrasjen e ujqërve që do të nisin punën më 15 janar, për një periudhë tre mujore'', theksoi presidenca e rajonit, cituar nga media ruse. 

Sipas Ministrisë lokale të Bujqësisë, ujqërit kanë shkaktuar ngordhjen e 313 kuajve dhe 16 111 drerë. 

Asnjë sulm kundër njerëzve nuk është njoftuar deri tani. ''Një prej arsyeve kryesore të këtij fenomeni në këtë rajon që ndodhet në Rrethin Arktik është ulja e numrit të lepujve arktikë, ushqimi bazë i ujqërve'', sipas ekspertëve rusë. 

''Më shumë se 3 500 ujqër ndodhen aktualisht në Jakuti, një rajon sa pesëfishi i Francës, për më shumë se një milion banorë, ndërkohë që numri optimal i mishngrënësve nuk duhet të kalojë 500'', nënvizuan autoritetet lokale.

(e.m/ata/BalkanWeb)