U mbyll pazari Meta-Rama, Berisha garanton zgjedhje të lira, PSI-tët festojnë si të “çmendur” deri në mesnatë për “fitoren”!

Pas shumë kohësh negocimesh të fshehta dhe “thashethemesh” çdo gjë doli hapur!
 
Është arritur marrëveshja apo “pazari” midis Metës dhe Ramës dhe kjo është konfirmuar nga vetë selitë e dy partive të udhëhequra nga liderit në fjalë, duke shtuar se bisedimet për këtë çështje kishin nisur shumë muaj më parë por pritej momenti i përshtatshëm!
Kështu, mbrëmë vonë shumë krerë të lartë të Partisë Socialiste janë mbledhur dhe kanë festuar “suksesin” e tyre të madh të dhuruar nga Meta ashtu siç ai di më mirë, pasi Meta veç “dhurimit” të fitores në zgjedhjet e ardhshme ka kërkuar si shkëmbim disa poste të rëndësishme, ku përfshihen tre ministri dhe kreun e parlamentit shqiptar!
Ndërkohë i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, i cili mëngjesin e sotëm me anë rrjetit social facebook ka theksuar se “Partitë bëjnë zgjedhjen që dëshirojnë”, duke “mbështetur” pas “bekimit” të tij marrëveshjen Meta-Rama, ndërsa më tej Berisha thekson: “Mirëmëngjes miq! Një debat i gjerë ka shpërthyer lidhur me njoftimet se LSI do të vendos të lerë qeverinë. Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet i pandryshuar se çdo forcë politike bën zgjedhjen që dëshiron. Natyrisht për mua, qeveria dhe qeverisja janë përgjegjësi që bëhen edhe më të mëdha në periudhë elektorale.

Me këtë rast dua të siguroj zgjedhësit se asgjë nuk do të cenojë vendosmërinë e qeverisë për organizimin e një procesi zgjedhor të lire dhe te ndershëm ne përputhje me Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutën e vendit. Së dyti, dua të garantoj qytetaret se Kushtetuta e vendit ka te gjitha përcaktimet e qarta për zgjidhje plotësisht kushtetuese te çdo problemi institucional dhe se ajo do te respektohet me rigorozitet në frymën dhe germën e saj. Unë mbetem totalisht i përkushtuar te punoje me te gjithë energjitë e mia, ne interesin me te mire te qytetareve dhe te vendit. Pershendetje, sb”, referon kryeministri në njoftimin e tij bërë në orën 10:00 të mëngjesit.

PS pritet të zyrtarizoj sot në mbledhjen e kryesisë ftesën për koalicion të LSI-së. Ndërsa mësohet se në “festën” e mbrëmshme të PS-së, ishin mbledhur: Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko, Arben Ahmetaj, Taulant Balla, Blendi Klosi, Ditmir Bushati, Bashkim Fino, Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri, Eduard Shalsi, Erion Veliaj, bashkiakët Qazim Sejdini, Vangjush Dako, Niko Peleshi e Endri Fuga ishin dje, pjesë e darkës në një prej lokaleve të periferisë së Tiranës, “Xibraku”./alb-observer.com/