“Sipas disa dokumenteve të siguruara, Zanfina do të vuajë dënimin me burg për 16 ditë. Urdhri është lëshuar nga Gjykata e Qarkut në Pejë. E gjitha kjo çështje daton nga mesi i vitit të kaluar, derisa në urdhër-arrest mësohet se Zanfina ka qenë vështirë për t’u kontaktuar, pasi ka ndërruar vendbanim. Urdhrin nga Gjykata e Qarkut në Pejë do ta ekzekutojë policia në stacionin policor në Prishtinë. Për këngëtaren Zanfina Ismajli është lëshuar një fletë-arrest për armëmbajtje pa leje”, kanë shkruar mediat kosovare këto ditë. E pyetur nga “Bluetooth”, këngëtarja e suksesshme kosovare ka thënë: “Gjithçka mund të them është se, para disa vitesh, në qytetin e lindjes së nënës sime, policia gjeti në çantën time një spraj lotsjellës, për të cilin unë nuk kisha leje…
Duke qenë se nuk është e lejuar ta mbaj pa leje (dhe spraji cilësohet si armë e ftohtë), atëherë rasti përfundoi në polici dhe pastaj ne Gjykatën e Pejës. Sa i përket urdhër-arrestit, është e vërtetë që është lëshuar, sepse unë ndërkohë kam ndërruar vendbanimin dhe ftesat për gjyq kanë shkuar në adresën e vjetër. Dëshiroj të sqaroj se nuk kam qenë dhe nuk jam e arrestuar, sepse kam paguar dënimin, i cili më është caktuar nga gjykata”. Zanfina ka shtuar sakaq se “sprajin e mbaja për vetëmbrojtje, pasi para disa vitesh në mes të rrugës disa të rinj më kanë grabitur çantën nga dora dhe kjo përvojë e keqe më ka bërë që të jem më e kujdesshme”, – ka përfunduar këngëtarja simpatike.