TIRANË-Një grua 30-vjeçare iu drejtua Gjykatës së Tiranës për t’i shpëtuar dhunës dhe kërcënimeve të bashkëshortit të saj.
Burri
i paditëses i kërkonte së shoqes që ajo të mbulohej me perçe sa herë që
dilte nga shtëpia. Dhunës së kryefamiljarit nuk i kishte shpëtuar as
vajza e mitur e çiftit, së cilës gjithashtu i kërkohej të mbulohej me
perçe në çdo lëvizje të saj.
Përmes një kërkesë-padie civile,
30- vjeçarja me iniciale M.D. i kërkoi gjykatës lëshimin e një urdhri të
menjëhershëm mbrojtjeje nga bashkëshorti i saj 36-vjeçar, me iniciale
G.D. Në kërkesën e saj, 30-vjeçarja pretendonte se ajo dhe e bija e
mitur dhunoheshin dhe kërcënoheshin nga bashkëshorti, i cili pretendohet
se i përket një rryme ekstreme të besimit islam.
Ai i kërkonte
gruas dhe vajzës të mbuloheshin me perçe dhe nuk i lejonte të
frekuentonin ambientet publike. Sipas padisë, “pika kulmore” e dhunës ka
qenë momenti i rrahjes së të miturës më 7 mars, për shkak se kishte
dalë pa leje nga shtëpia për të blerë lule për mësuesen.
Gjykata
e Tiranës vendosi dje që shqyrtimi i kërkesës të bëhet ditën e hënë. Në
të njëjtën seancë, gjykata pritet të shprehet me vendim për pranimin
ose jo të padisë.
(BalkanWeb)