Mabetexi i Behgjet Pacollit mund të ndërtojë stadiumin e ri të Interit




Gjiganti italian, Interi, ka filluar punën në kërkimin e kompanisë për ndërtimin e stadiumit të ri, ndërsa drejtuesit e klubit më të madh italian kanë zhvilluar negociata me kompaninë kosovare, Mabetex.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, është takuar me vëllezërit e Behxhet Pacollit, pronarit të Mabetex, me të cilët ka biseduar mbi projektimin e stadiumit të ri.
“Massimo Moratti ka qëndruar për vizitë në kompaninë tonë. Këtë e ka bërë për të parë funksionet e kompanisë, çfarë kompanie jemi, duke shprehur njëkohësisht interesimin që ne ta bëjmë projektimin e stadiumit, që ndoshta në të ardhmen ta shikojmë edhe mundësinë e ekzekutimit të punëve. Janë biseda preliminare, ende nuk ka asnjë projekt, ende nuk është shpallur tenderi”, ka thënë Selim Pacolli për OraInfo.
Për kompaninë Mabetex fitimi i tenderit për ndërtimin e stadiumit të Interit nuk është prej projekteve më të rëndësishme të kompanisë. Tenderi nuk është hapur ende, por Selim Pacolli është shumë optimist.
“Po pritet të hapet tenderi. Është logjistika e klubit të futbollit të Interit. Ata janë duke punuar në këtë drejtim. Mbi të gjitha është edhe ajo që Behgjet Pacolli është mik me presidentin e Interit, Massimo Moratti, dhe faktikisht mund të jetë edhe kjo njëra prej interesave dhe referencave që ta fitojmë këtë projekt”, përfundoi Pacolli.
Interi ka filluar të mendojë për ndërtimin e stadiumit të ri, që do të kushtojë 550 milionë euro dhe do të ketë 66 mijë vende. Nga jashtë stadiumi pritet të jetë sikurse Allianz Arena i Bayernit, kurse nga brenda sikurse Emirates i Arsenalit.
(a.k/BalkanWeb)