Mbulimi me perçe, gruaja padit burrin në gjyq

TIRANË-Një grua 30-vjeçare iu drejtua Gjykatës së Tiranës për t’i shpëtuar dhunës dhe kërcënimeve të bashkëshortit të saj.

Burri i paditëses i kërkonte së shoqes që ajo të mbulohej me perçe sa herë që dilte nga shtëpia. Dhunës së kryefamiljarit nuk i kishte shpëtuar as vajza e mitur e çiftit, së cilës gjithashtu i kërkohej të mbulohej me perçe në çdo lëvizje të saj.

Përmes një kërkesë-padie civile, 30- vjeçarja me iniciale M.D. i kërkoi gjykatës lëshimin e një urdhri të menjëhershëm mbrojtjeje nga bashkëshorti i saj 36-vjeçar, me iniciale G.D. Në kërkesën e saj, 30-vjeçarja pretendonte se ajo dhe e bija e mitur dhunoheshin dhe kërcënoheshin nga bashkëshorti, i cili pretendohet se i përket një rryme ekstreme të besimit islam.

Ai i kërkonte gruas dhe vajzës të mbuloheshin me perçe dhe nuk i lejonte të frekuentonin ambientet publike. Sipas padisë, “pika kulmore” e dhunës ka qenë momenti i rrahjes së të miturës më 7 mars, për shkak se kishte dalë pa leje nga shtëpia për të blerë lule për mësuesen.

Gjykata e Tiranës vendosi dje që shqyrtimi i kërkesës të bëhet ditën e hënë. Në të njëjtën seancë, gjykata pritet të shprehet me vendim për pranimin ose jo të padisë.

(BalkanWeb)